\
Cakolli: Dua ta takoj shoqen e klasës, jam krenar me të Sidoqoftë, Esati i cili është prind i dy djemve, Bleartit 10 vjeç dhe Besartit 8 vjeç, nuk është aspak xheloz për suksesin e shoqes së klasës. Në fakt ai është krenar me atë që ka arritur presidentja e vendit. Madje ai edhe u mburret njerëzve në rrugë, në punë dhe në familje me suksesin e shoqes së klasës, Atifetes. “Përfundimisht jam shumë krenar me atë që ka arritur Atifetja. Të jesh presidente e një vendi nuk është pak. Unë mburrem para të tjerëve që në klasë kam pasur një vajzë e cila ka arritur të bëhet presidente. Disi ndihem edhe unë pjesë e këtij suksesi pasi që më shumë se 5 vite i kemi kaluar në të njëjtën klasë, kemi ndarë shumë orë bashkë”, shprehet Esat Cakolli. Përkundër faktit që kanë përfunduar shkollën fillore bashkë, Esatit dhe Atifetes nuk u janë bashkuar rrugët më asnjëherë, madje as që të takohen. Esati, në shkollën e mesme, u regjistrua në shkollën teknike “Stefan Gjeçovi”, ndërsa Atifetja, mori tërësisht rrugë tjetër. Krejt në fund, Esati ka vetëm një dëshirë. Që të takohet edhe njëherë me “shoqen e klasës” tashmë presidenten e Kosovës. Ai dëshiron që t’i tregojë personalisht se sa krenar është me të dhe pas fotos së vitit 1986, të cilën e ruan me xhelozi ta ketë edhe një foto aktuale ku të dy tashmë kanë karriera të ndryshme. “Po, do të toja të takohesha një herë me të. Dua që ta kem një foto me të tani si presidente e Kosovës dhe t’ia bashkëngjis albumit tim. Asgjë tjetër nuk dua”, përfundon Esat Cakolli. Me shpresën se presidentja Atifete Jahjaga do t’i përgjigjet ftesës së Esatit, ne në vazhdim do t’ju paraqesim biografin e zonjës së parë të shtetit dhe rrugën të cilën ajo e ka kaluar deri më sot. Biografia e presidentes Presidentja Atifete Jahjaga u lindi më 20 prill 1975 në Rashkoc të Gjakovës. Jahjaga ishte zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës prej shkurtit të vitit 2009 deri në zgjedhjen e saj presidente e Republikës së Kosovës, më 7 prill 2011. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në fillim të vitit 2000, fillimisht shërbeu si police, duke përparuar në nivel rajonal dhe në atë të Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë karrierës së saj të mëhershme, presidentja Jahjaga ka shërbyer në pozita të rëndësishme në zbatim të rendit dhe ligjit në Njësinë e Standardeve Profesionale, pastaj ndihmëse e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, ndihmëse e shefit të Burimeve Njerëzore, ndihmëse ekzekutive Speciale e Zëvendëskomisarit për Administratën e Policisë së Kosovës, zëvendëskomandant për Polici Kufitare të Policisë së Kosovës, kryesuese e Departamentit të Trajnimeve, ndihmëse e zëvendëskomisarit të Policisë së Kosovës për Polici Kufitare, ndihmëse e zëvendëskomisarit të Policisë së Kosovës për Personel dhe Trajnim. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, ku gjithashtu i përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2000. Ka përfunduar Certifikimin Postdiplomik në Menaxhimin Policor dhe të Drejtën Penale në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 2006-2007, Certifikimin Postdiplomik në Shkenca Kriminalistike në Universitetin e Virginia-s në SHBA, në vitin 2007. Aktualisht vazhdon studimet e Magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Si shtesë e këtyre studimeve, vlen të theksohen programet profesionale dhe studimore që ka ndjekur në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” Gjermani, në Akademinë Nacionale të FBI-së në SHBA dhe në Departamentin e Drejtësisë në SHBA. Përveç gjuhës shqipe (amtare), presidentja Atifete Jahjaga zotëron edhe gjuhët angleze dhe serbe. Presidentja Atifete Jahjaga është e martuar me Astrit Kuçin dhe jeton në Prishtinë.
No comments:
Post a Comment