Bota e hip-hopit në vitin 2013 ka qenë më voluminoze se kurrë me krijime të ndryshme, hite dhe albume të cilat do të lënë gjurmë përjetësisht në historinë e këtij zhanri.
Për dallim nga viti 2012, në vitin 2013 u arrit kalimi nga tranzicioni i madh prej ‘old school’ në ‘new school’ dhe reperët arritën që të publikojnë shumë projekte duke konkurruar me njëri-tjetrin, pasi që vet hip-hopi nuk ka kuptim pa e pasur shpirtin e garës. Ritme më moderne, tekste artistike e herë-herë me rima të fuqishme, ishin ato që karakterizuan një vit që do të mbahet mend gjatë.
Telegrafi sjell më poshtë gjithë atë që e karakterizoi botën e hip-hopit për secilin prej grupeve (labelave) veç e veç.
Authentic Entertainment
Grupi me në krye Besnik Canollin, apo 2po2, ka arritur që të lë gjurmë mjaft të madhe në vitin që lamë pas. Vet reperi realizoi një prej bashkëpunimeve më të mira viteve të fundit me Elvana Gjatën, teksa arriti të realizojë edhe disa projekte solo. Kënga “Prej rrugës” dhe “Kom ra n’dashni” janë ato që u shndërruan në këngë shumë të dëgjuara nga publiku, teksa besohet se vet reperi është duke punuar në albumin e tij të ri.
Në këtë grup bën pjesë edhe Capital T. As ky nuk ka preferuar të lansojë një album, por ka vazhduar të punojë në heshtje për projektet e reja. Kënga më e suksesshme e Kapos për vitin e kaluar padyshim ka qenë “Good Life”, e cila u dallua me një videoklip interesant brenda përbrenda produksionit Authentic Entertainment dhe me një ‘flow’ të paparë nga reperi. Pritet një album nga Capital T në vitin 2014.
P.I.N.T
Pas sukseseve në vitin 2012 me dy albumet “PINT 1” dhe “PINT 2”, hip-hop grupi me në krye Lyrical Son dhe MC Kreshën përjetuan një tjetër vit me plot projekte dhe hite. E filluan vitin me një projekt të përbashkët, këngën karakteristike “Çele çadrën”, për të vazhduar më pas solo.
Lyrical Son lansoi në gusht albumin “ZimaSamShevy”, i cili për vitin 2013 ka qenë më i shituri në vendin tonë, teksa pos tjerash ka arritur të dëgjohet miliona herë në rrjetin social YouTube, një rrjet ku nuk preferon të krahasohet Festimi. Këngët “Ekstravaganca”, “Me ta pyl”, “Special”, “Mes neve” dhe “In Luv” janë ato që hynë në zemrat e publikut. 25 këngë nga Lyrical Son dhe një album, mjaft mbresëlënës ky vit për Lyricalin.
MC Kresha nuk e la të vetmuar Festimin në albumin e tij. Janë tri-katër bashkëpunime që ata i kanë realizuar gjatë vitit, që të gjitha projekte shumë të suksesshme. Vlen të përmendet kënga “Me ta pyl”, teksa suksesin më të madh Mc Kresha e shënoi me këngën “Cok Guzel”, e cila u dallua me një videoklip mjaft interesant. Telegrafi ka informacione se MC Kresha është në përgatitje të albumit të tij të ri, i cili do të publikohet në vitin 2014.
BabaStars
Nëse dikush mund të krenohen për klikime dhe për himne të cilat i këndoi publiku gjatë gjithë verës, janë pikërisht pjesëtarët e ‘labelit’ Babastars. Me në krye Getoar Selimin, ata publikuan një seri këngësh që u shndërruan hite. Ghetto Geasy publikoi projektet “n’Prishtinë” dhe “Pot shoh përmas”, që të dy këto këngë hite, para se të publikonte kundërpërgjigjen ndaj kritikëve, këngën “Ma i madhi n’ven 2” ku u tregua shumë i ashpër. Vitin e tij shumë të suksesshëm me shumë singla, Geti e kompletoi me superhitin “E nxonme”, e cila zuri vend në top këngët e vitit 2013 të zgjedhur nga Telegrafi.
Nga Babastars pa projekte nuk ka mbetur i riu Cozman, i cili ishte i pakapshëm këtë verë, pasi fluturoi drejt sukseseve me të dashurën e tij Tunën dhe hitin e tyre “Fenix”. Pos Cozman ai që nuk pushoi ishte edhe Skivi. Së pari Skivi publikoi këngën “E di që mu m’don”, e cila kishte sukses mjaft të madh, teksa së fundmi e përmbylli vitin me këngën “Welcome to Prishtina” në bashkëpunim me Adrian Gaxhën dhe Florianin.
Vend të veçantë në këtë përmbledhje tonën për botën e hip-hopit shqiptar e zë grupi TDS, që tani janë nën petkun e Babastars. Përkundër sulmeve të rivalëve nëpër këngë të ndryshme për një tradhti dhe mosmirënjohje, djemtë vazhduan qetësisht me në krye Dr. Mic drejt krijimit të albumit “Hello”. E pikërisht “Hello” ishte një prej hiteve të albumit me të njëjtin emër, teksa shumë të suksesshme kanë qenë edhe këngët “Killah”, “Veç un edhe ti” dhe “S’nalna”.
Babastars do të publikojnë në vitin 2014 shumë projekte, e ajo që vlen të përmendet është albumi i përbashkët me të gjitha këngët e fundit të anëtarëve të këtij hip-hop ‘labeli’.
Unikkatil
Reperi legjendar punoi shumë në prapaskenë gjatë këtij viti në projektet e reja, por publikoi vetëm një prej tyre. Ishte kënga “U qova prej vorri” ajo që theu rekord të shikimeve në YouTube brenda 24 orëve të para. Me tekst të thellë e në një botë të errët tipike për Viktorin, kënga arriti të inspirojë fansat e tij.
Telegrafi ka informacione se Viktor Palokaj gjatë vitit 2014 do të lansojë albumin e tij të ri, ashtu sikurse edhe disa ‘single’ para tij.
Noizy
Reperi i jashtëzakonshëm nga Shqipëria, lansoi një album të jashtëzakonshëm në vitin 2013. Me mbi 20 këngë, secila më e mirë se tjetra, Noizy arriti që të shtrijë autoritetin e tij mbi botën e hip-hopit shqiptar, duke e ringjallur në të njëjtën kohë edhe mikun e tij Dudën.
Top hiti i Noizyt ka qenë “Skuadra jonë”, dueti i suksesshëm me Dudën, teksa edhe kënga “Çunat thojnë” është një bashkëpunim që do mbetet në zemrat e fansave. Pos këtyre këngëve, janë edhe ato “Ole” dhe “Gunz Up” që arritën miliona klikime, e që të gjitha projektet më lartë ishin pjesë e albumit shumë të suksesshëm, “The Leader”.
Kaos
Ndër të paktë artistë që publikuan album gjatë vitit 2013 kanë qenë edhe anëtarët e grupit Kaos. Albumi “X” ishte prej më të klikuarve në YouTube. Ky album ka përmbajtur hitet më të mëdha të fundit të reperëve, si “Lule lule”, “Gëzuar, përhajr” dhe shumë të tjera. Dallohen paroditë në disa këngë dhe mesazhet e fuqishme që ata kanë transmetuar. Kaos vazhdon të qëndrojë lart si një prej hip-hop grupeve më të respektuara dhe më në formë në trojet shqiptare.
2Ton
Reperi dhe producenti nga Ferizaj ishte i pandalshëm gjatë vitit 2013. Ai lansoi shumë bashkëpunime me disa këngëtare të reja, të cilat ishin relativisht të suksesshme, teksa si një prej sukseseve më të mëdha të tij vlen të përmendet përpunimi i këngës “Missing Me”, që u shndërrua në hit. Reperi vazhdon të jetë shumë në formë dhe mesazhet që ka transmetuar deri tani kanë inspiruar fansat e tij.
Gjiko
Një reper i ri nga Peja, por me shumë perspektivë në botën e hip-hopit është Asdren Gjikolli, apo Gjiko. Lirikisht i pakapshëm e në interpretim me shumë vend për përmirësim, Gjiko ka qenë një prej të rinjve më aktivë gjatë këtij viti. Ai u bë i njohur me këngën “Psikopat” në bashkëpunim me Gjirën. Telegrafi ka informacione të sigurta se reperi do të bashkohet me një reper tjetër në një tandem që pritet të shkaktojë tërmet të madh në botën e hip-hopit shqiptar. Bëhet fjalë për një prej ikonave të hip-hopit.
Elinel
Një prej reperëve më të talentuar të skenës që shkëlqeu gjatë vitit 2013 ishte pa asnjë dyshim Elineli. Ai publikoi albumin “O” që përmban disa prej këngëve të tij kryesore të lansuara gjatë vitit, teksa i famshëm u bë me ‘dissin’ e madh kundër Babastars gjatë festivalit Beerfest. Pa dyshim një prej reperëve më me perspektivë në skenën e muzikës tonë me shumë kapacitet për të shkëlqyer edhe gjatë vitit 2014.
No comments:
Post a Comment