Mendohet se ka vrarë veten më 30 prill 1945, në një bunker të Berlinit, pasi kuptoi që Gjermania kishte humbur Luftën e Dytë Botërore. Por, një libër i ri thotë se Adolf Hitleri u arratis nga bunkeri dhe vdiq në vitin 1984, në moshën 95-vjeçare, në një qytezë të vogël braziliane - në kufi me Bolivinë.
Për ta vërtetuar këtë gjë, autorja e librit publikon edhe një fotografi të një burri me një grua braziliane. Por, fytyra e burrit nuk duket aspak qartë. Gruaja në foto quhet Cutinga dhe, sipas autores Simoni Renee Guerreiro Dias, Hitleri u lidh me të për të treguar se nuk urrente çdo person që nuk ishte i racës ariane.
Libri me titull “Hitleri në Brazil, jeta dhe vdekja e tij”, thotë se Hitleri jetoi me emrin Adolf Leipzig në qytezën Nossa Senhora do Livramento dhe se njihej mes banorëve si “plaku gjerman”.
Akademikët në Brazil e kanë konsideruar këtë teori si “krejt të pavlerë”. Candido Moreira Rodrigues, një profesor historie në Universitetin Federal të Mato Grossos, tha: “Të gjithë njësoj janë këta njerëz që i thonë vetes historianë dhe dalin me teori se Hitleri ka jetuar në Amerikën Latine.”
Tre vite më parë, autorët Gerrard Williams e Simon Dunstan kanë publikuar një libër ku ngrenë teorinë se Hitleri ka jetuar në Argjentinë, së bashku me të dashurën e tij Eva Braun, me të cilën pati dy vajza. Sipas tyre, Adolf Hitleri vdiq në vitin 1962, në moshën 73-vjeçare.
No comments:
Post a Comment