Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, thotë se klubi i tij nuk ka asgjë për të fshehur dhe ka përsëritur se ata kanë paguar 57.1 milionë euro për transferimin e Neymar dhe jo 95 milionë euro – shumë që është raportuar nga gazeta El Mundo.
Klubi katalunas është nën hetime me akuzën për keqpërdorim fondesh gjatë transferimit të brazilianit, me ç’rast vetëm 17.1 milionë i kanë shkuar ish-klubit të tij, Santos.
Dhe derisa nuk është e qartë se ku kanë shkuar 40 milionë euro, El Mundo ka ardhur me një raport se Blaugranët kanë paguar plot 95 milionë euro për transferimin e 21-vjeçarit që do të ishte rekord botëror (Cristiano Ronaldo është blerë për 94 milionë euro, kurse Gareth Bale për 91.5 milionë).
Megjithatë, shefi i Barcës ka përsëritur se klubi nuk ka bërë kurrfarë mashtrimi apo keqpërdorimi.
“Do ta them përsëri. Neymar kushtoi 57.1 milionë euro dhe jo më shumë se kaq. Kjo është hera e kushedisatë që po e them... Nuk kemi asgjë për të fshehur”, ka deklaruar Rosell.
Sipas El Mundo, krahas shumës prej 57.1 milionë eurosh që është çmimi i lojtarit që duhet paguar Santosit, Barcelona i ka dhënë 2.5 milionë euro Neymarit për të ndihmuar fëmijët e varfër në Sao Paolo. Po ashtu, ata i kanë paguar babait të brazilianit pesë për qind nga kontrata futbollistit (2.6 milionë euro). Pastaj klubi spanjoll është dashur t’ia paguajë 17.1 milionë euro Santosit për të drejtat federale, disa milionë të tjera (rreth 5.7 milionë euro) që Neymari të luajë në dy ndeshje miqësore kundër Santosit, si edhe 10 milionë euro të tjera në fillim për të siguruar transferimin – që në total i bie 95 milionë euro.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Neymar është futbollisti më i shtrenjtë në histori.
No comments:
Post a Comment